Meta: Vendimi për Berishën – antikushtetues, mazhoranca me program për eliminimin e opozitës reale!

0

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e ka dënuar ashpër vendimin e Kuvendit sot për t’i dhënë autorizim, SPAK-ut, për heqjen e lirisë, Kryetarit të PD-së, Sali Berishës.

Ilir Meta  tha në një konferencë për shtyp se ky votim sot, ky vendim “synon të rikthejë Shqipërinë në kohën e partisë shtet dhe është tregues i qartë i standardeve të dyfishta që ndjek ky Kuvend dhe kjo mazhorancë: Ndryshe për përfaqësuesit e opozitës, aq më tepër për liderin e saj të partisë kryesore dhe ndryshe për përfaqësuesit e saj, siç kanë qenë në rastet konkrete.

Njëkohësisht, është pjesë e një programi për eliminimin e opozitës reale dhe instalimin e  një opozite fasadë, që i bën fresk këtij regjimi.

Ju e dini që një javë më parë u ndryshua në mënyrë të njëanshme rregullorja e këtij Kuvendi dhe si rezultat tani deputetët mund të përjashtohen deri në dy muaj, që është një tjetër akt antikushtetues që shkel në mënyrë flagrante, të drejtat që i garanton deputetit Kushtetuta.

Këto ndryshime e kthejnë edhe më tej Rregulloren e Kuvendit në një mjet arbitrar në duart e mazhorancës për të ndëshkuar deputetët e opozitës dhe eliminuar përfaqësimin e saj në Kuvend.

Edhe ndryshimet që u bënë në ligjin për komisionet hetimore synojnë në këtë drejtim për të minuar më tej llogaridhënien. Ky bllokim i komisioneve hetimore është treguar i frikës së thellë që mazhoranca ka ndaj llogaridhënies dhe transparencës sepse është e zhytur thellë në korrupsion.

Dhe meqë jemi në prag të miratimit të buxheteve të bashkive në të gjithë vendin, dua të përshëndes vendimin e Gjykatës Administrative që rrëzoi vendimin e Bashkisë Tiranë për shembjen e pallatit në rrugën Myslym Keta në Tiranë. Është fakt shumë domethënës që falë këmbënguljes së banorëve të këtij komuniteti, që u vetorganizuan dhe arritën të paraqisnin argumentet e tyre, ta fitonin këtë çështje ndaj bashkisë Tiranë, që tregoi qartë se vendimi për prishjen e pallatit të tyre nuk e kishte bërë në interes të qytetarëve po për klientelën e saj. Ky rast përfaqëson një fenomen të njohur gjërësisht.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu