Zjarrfikësit po luftojnë për të vënë nën kontroll flakët në disa pjesë të Francës, Spanjës dhe Portugalisë.
Zjarret e mëdha kanë përfshirë Evropën Perëndimore të shtunën, duke shkatërruar një pjesë të tokës dhe duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre mes një vale të të nxehtit.
Zjarrfikësit po luftojnë për të vënë nën kontroll flakët në disa pjesë të Francës, Spanjës dhe Portugalisë. Në rajonin e Gironde në Francën jugperëndimore, më shumë se 12 mijë njerëz u evakuuan pasi erërat e forta nuk lejonin fikjen e zjarrit që përfshinë pyjet me pisha, raporton The Guardian.
Gjithashtu edhe një zjarr në jug të Bordosë kanë shkatërruar gati 10 mijë hektarë tokë. “Zjarri do të vazhdojë të përhapet për sa kohë që nuk stabilizohet”, tha Vincent Ferrier, nënprefekt për Langon në Gironde. Në Spanjë zjarrfikësit po luftonin me një seri zjarresh disa ditë pas temperaturave të larta të cilat arritën deri në 45.7C. Në jug të vendit, pranë Costa del Sol, më shumë se 3 mijë njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre për shkak të një zjarri masiv në afërsi të qytetit të Mijas, ku shumë prej tyre u dërguan për t’u strehuar në një qendër sportive, thanë shërbimet e urgjencës. Disa nga zjarret më të rënda kanë qenë në Portugali , ku piloti i një avioni zjarrfikës ajror vdiq të premten kur avioni i tij u rrëzua gjatë një operacioni në zonën Foz Coa, pranë kufirit spanjoll.
Në Portugali kanë këtë javë mbetur të lënduar 160 persona dhe qindra persona të evakuar. Ministria e shëndetësisë e Portugalisë tha se 238 njerëz kishin vdekur si pasojë e valës së nxehtë midis 7 dhe 13 korrikut, ku shumica prej tyre ishin të moshuar me sëmundje të ndryshme. “Kemi pasur zjarre të mëdha dhe nuk duam që ato të riaktivizohen përsëri. Ne do të mbajmë vigjilencë ekstreme këtë fundjavë”, u tha gazetarëve komandanti i autoritetit të urgjencës dhe mbrojtjes civile Andre Fernandes.
Sezoni i zjarreve ka goditur disa pjesë të Evropës më herët se zakonisht këtë vit pas një pranvere jashtëzakonisht të thatë dhe të nxehtë që la tokën të thahet. Zjarret janë ndezur nga temperaturat ekstreme të cilat ekspertët ia atribuojnë ndryshimeve klimatike. Kroacia dhe Hungaria kanë luftuar gjithashtu zjarret këtë javë, ashtu si Kalifornia dhe Maroku.