Rivalë në fushë në sprintin e kampionatit dhe gjithashtu armiq në merkato. Inter dhe Milan janë në kërkim të një sulmuesi të ri për sezonin e ardhshëm dhe, sipas gazetës portugeze A Bola, kanë synuar të njëjtin profil: Darwin Nunez të Benfica-s. Për sulmuesin 22-vjeçar nga Uruguaji klubi portugez kërkon 60 milionë euro.
Nunez po josh shumë klube falë 26 golave të tij në 31 paraqitje. Kërkesat e klubit portugez janë të larta edhe për shkak të klauzolës së largimit prej 150 milionë eurosh.
Konkurrenca megjithatë është e ashpër, duke nisur nga Premier League, destinacioni më i pëlqyer për futbollistin. Pika e nisjes është 60 milionë euro, shifër që mund të rritet sepse Benfica do të duhet të paguajë Almerian, pasi klubi spanjoll zotëron 20% të kartonit.