Të dielën në mbrëmje luhet supersfida Milan-Napoli. Dy nga skuadrat e kreut do të përplasin brirët në “San Siro”. Në kampin kuqezi infermieria vijon të jetë e mbushur.
Stefano Pioli ende nuk e di nëse do të mund të mbështetet tek Olivier Giroud në fushë, gjë që do të ishte thelbësore për t’i dhënë Ibrës një alternativë dhe pak pushim, i cili vështirë se do të luajë 90′ ndaj napolitanëve, pasi tri ditë më pas është ndeshje me Empoli.
Një rikthim i Giroud do të ishte thelbësor për Milanin, duke pasur parasysh mungesat e Leaos, Rebiç dhe Pellegrit. Megjithatë, sulmuesi francez pak gjasa ka ta nisë titullar. Ibra pritet ta nisë nga minuta e parë dhe pas tij Messias dhe Saelemaekers, ndërsa balotazhi për rolin e mesfushorit është i hapur mes Diaz dhe Krunic.
Befasia mund të jetë Daniel Maldini, që ka pasur pak hapësirë deri më tani, duke luajtur vetëm 138 minuta në 8 ndeshje. Për shkak të situatës, mund të ketë ardhur koha që ai të jetë në fushë, madje titullar si ndaj Spezias.
Për trajnerin kuqezi, dyshimi i fundit ka të bëjë me mbrojtjen: në të djathtë Florenzi apo Kalulu? Kjo ndeshje vlen shumë për Milanin, që në rast fitoreje, lë pas njëherë e mirë Napolin dhe nuk i ndahet Interit në krye.