Ministri serb i Mbrojtjes: Situata në Kosovë shkakton “shqetësim të thellë”

0

“Situata në Kosovë shkakton shqetësim të thellë për Republikën e Serbisë”, tha zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, gjatë një takimi me Zëvendës-ndihmës sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe ato të Sigurisë, Javier Colomina.

Sipas Vuçeviçit, “kriza aktuale u shkaktua nga mos-zbatimi i marrëveshjes së Brukselit nga Prishtina, e cila nuk e përmbushi detyrimin e saj të vetëm, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, më 9 nëntor, që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit dhe që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targat.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.

Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX), tha sot se ka përforcuar njësitë e saj rezervë me 23 xhandarë nga karabinierët italianë, me qëllim që t’i ofrojë ndihmë autoriteteve në Kosovë, nëse është e nevojshme.

Më 7 nëntor, sekretarit i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për “situatën e tensionuar në veri të Kosovës”. Ai u kishte kërkuar të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës.

Ambasadori Hovenier tha se janë të shqetësuar për situatën në veri, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu