Ministria e Drejtësisë ka përcjellë në Itali kërkesën për ekstradimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Dosja përmban vendimin e GJKKO dhe SPAK për dënimin e tij me 2 vite burg. Kërkesa u përcoll në rrugë diplomatike përmes Ministrisë së Jashtme.
Akti i ministrisë së Drejtësisë u ndërmor pasi SPAK depozitoi pranë këtij institucioni dosjen me kërkesën për ekstradim.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e ish-prokurorit Adriatik Llalla, i cili është arrestuar më 10 dhjetor në Romë.
Llalla është prangosur në Romë, të premten, më 10 dhjetor 2021. Autoritetet homologe italiane kanë njoftuar në rrugë zyrtare Prokurorinë e Posaçme se Llalla është arrestuar në zbatim të urdhër-kërkimit ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij.