Ministrja e jashtme gjermane: Do prezantojmë ligj të ri për eksportin e armëve

0

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se qeveria e re e koalicionit do të prezantojë një ligj që shtrëngon kufizimet në eksportet e armëve.

Politikania e të Gjelbërve i bëri komentet disa ditë pasi u zbulua se qeveria e ish-kancelares Angela Merkel, kishte miratuar kontrata eksporti me vlerë rreth 5 miliardë euro me Egjiptin dhe Singaporin, kur po përgatitej të dorëzonte pushtetin. Çfarë tha ministrja Baerbock?

“Si koalicion, ne e kemi bërë të qartë se po rishikojmë politikën e eksportit të armëve të viteve të fundit. Ne po punojmë për një ligj për kontrollin e eksportit të armëve që do të qartësojë kriteret për miratimin e eksporteve të armëve.”, i tha Baerbock agjencisë gjermane të lajmeve dpa të dielën.

Qeveria e re e koalicionit, e përbërë nga socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD), të Gjelbërit dhe liberalët e FDP – është zotuar në marrëveshjen e koalicionit të kufizojë eksportet e armëve në të ashtuquajturat vende të treta, në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Këtu përfshihet Egjipti, i cili ka qenë një nga destinacionet kryesore për eksportet e armëve të Gjermanisë.

Kontratat e mëdha të miratuara në momentin e fundit

Qeveria e mëparshme miratoi shitjen e tre anijeve luftarake dhe 16 sistemeve të mbrojtjes ajrore nga Thyssenkrupp Marine Systems dhe Diehl Defense në këtë vendt të Afrikës së Veriut. Miratimi erdhi në nëntë ditët e fundit të Merkelit në pushtet dhe megjithë kritikat mbi situatën e të drejtave të njeriut të Egjiptit dhe përfshirjen e tij në konfliktet në Jemen dhe Libi. U nënshkrua gjithashtu një marrëveshje për dërgimin e një nëndetëseje ushtarake në Singapor.

Të shtunën, shifrat e Ministrisë së Ekonomisë, të kërkuara nga një politikan i Partisë Socialiste të krahut të majtë, nxorrën në pah se marrëveshjet e minutës së fundit arritën në afro 5 miliardë euro. Këto marrëveshje bënë që eksportet gjermane të armëve të arrijnë një rekord të ri në vitin 2021, përkatësisht 9.04 miliardë euro. Rekordi i mëparshëm për eksportet gjermane të armëve ishte 8.02 miliardë euro në vitin 2019, përpara pandemisë së COVID-19.

Së bashku me Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Francën, Gjermania është një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm. Gjermania ishte përgjegjëse për 5.5% të eksporteve globale të armëve midis viteve 2016 dhe 2020.

Nëse jo Gjermania, atëherë kush tjetër?

Eksperti i politikës së jashtme të bllokut konservator, Roderich Kiesewetter i mbrojti marrëveshjet e qeverisë në largim, duke thënë se ato ishin bërë “brenda kornizës ligjore të vlefshme”. Ai tha për dpa se kritikat e partive e majta nuk ishin asgjë tjetër veçse lotë krokodili. Kiesewetteri tha se ishte jetike të mbroheshin interesat e sigurisë së Gjermanisë në reformën e ardhshme të kontrolleve të eksportit të armëve.

“Është në interesin e Gjermanisë që vendet e Lindjes së Mesme të vazhdojnë të mbështeten në politikën e tyre të armatimit nga shtetet e BE. Nuk është në interesin tonë nëse në të ardhmen këto shtete i marrin furnizimet nga Kina ose Rusia”, paralajmëroi ai.

Marrë nga DW


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu