Shqiptarët po përballen me rritjen drastike të çmimeve, të shkaktuar nga lufta Rusi-Ukrainë. Protestat kanë nisur prej ditësh në të gjithë vendin, ku kërkohet ndërhyrje e qeverisë për të amortizuar rritjen e çmimeve, që ka prekur tashmë gjithçka. Kryeministri Rama prezantoi Paketën e Rezistencës Sociale, ku në fokus janë pensionistët dhe shtresat e varfra. Gjithsej 7 pika, 5 nga të cilat ishin parashikuar për t’u zbatuar në buxhetin e këtij viti. Gjithashtu, është ngritur Bordi i Administrimit të Karburantit, që bën transparencën e çmimit dhe që ka vendosur, që duke filluar që sot deri të hënën e 21 marsit, çmimi i naftës do të jetë 203 lekë dhe i benzinës 2016 lekë për litër.
Masat e prezantuara nga qeveria kanë lënë të pakënaqur protestuesit, të cilët nga ana e tyre, gjithashtu kanë dalë me një listë kërkesash, duke i lënë afat qeverisë deri të shtunën për plotësimin e tyre. Në thelb, kërkohet ulja e taksave për karburantet dhe për disa produkte bazë ushqimore.
Për këto shqetësime foli në A2 Business ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Ministrja theksoi se shqiptarët nuk kanë shqetësimin që kanë të gjithë qytetarët e Europës për rritjen e çmimit të energjisë.
“Qeveria ka marrë vendimin që të mbështetës të gjithë konsumatorët familjarë. Nëse çmimi do të ishte ai reali, çmimet e shportës do të rritesh me një vlerë 20% pasi energjia elektrike është baza. Nga ana tjetër, shqetësimi që ata kanë është rritja e çmimit të karburanteve”, tha Ibrahimaj.
Më tej, Ibrahimaj theksoi se aktualisht furnizuesit e naftës nuk po fitojnë, por vetëm po mbulojnë kostot operacionale.
“Kemi përcaktuar që marzhi bruto i fitimit do të jetë 1% për bizneset e shumicës dhe 5% për pakicën. Këto janë kosto operacionale. Ata aktualisht mbulojnë kostot operacionale dhe nuk janë duke fituar. Ne jemi në situatë lufte dhe të gjithë duhet të bëjmë përpjekjen tonë”, tha Ibrahimaj.
Marrë nga A2CNN