Ai nuk kishte frikë nga askush; as nga Berlusconi, Totti, FIFA. Mino Raiola dukej (ose ndoshta ishte vërtet) një superhero i Marvel-it, për të cilin asgjë nuk është e pamundur. Edhe misionet më të komplikuara të merkatos.
Më 9 gusht 2006, ndërsa Milani po luante për kualifikimin në Champions League në “San Siro”, ndeshjen e parë të eliminatoreve me Crvena Zvezda (1-0, goli nga Pippo Inzaghi), ai ishte në Torino për të nënshkruar kalimin e Zlatan Ibrahimovic nga Juventusi tek Interi.
Ankandi mes dy milanezëve për të pasur sulmuesin suedez ishte i ashpër dhe Galliani kishte premtuar goditjen vendimtare në fund të ndeshjes. Në vend të kësaj, Mino u bind (eufemizëm për të thënë se… mori atë që donte) nga Branca dhe Oriali. Në “bilbilin” e fundit të Milan-Crvena Zvezda, Zlatan ishte zikaltër, kishte hedhur firmën në kontratë.
“Jam duke të pritur te ‘Giannino’. Është edhe presidenti Berlusconi. Këtu rregullojmë gjithçka”, – i tha në telefon CEO i kuqezinjve. Në atë darkë, Raiola mbërriti në makinën e një menaxheri të Interit, i cili e la atë disa metra nga dera e përparme e restorantit dhe më pas u zhduk.
Ai nuk kishte frikë t’i shpjegonte “Kavalierit” se Zlatanin do ta kishte jo si lojtar, por si kundërshtar në derbin ndërqytetas. Berlusconi dhe Galliani nuk e pëlqyen, por e vlerësuan sinqeritetin e profesionistit, i cili edhe pse nuk e kishte “pritur” mbylljen e marrëveshjes, nuk e kishte “fshehur”. Kjo ishte arsyeja pse marrëdhëniet mes palëve mbetën të shkëlqyera.
Për Balotellin, ai ishte një baba i dytë. “Ne morëm më të mirën”, – më thanë vëllezërit e Marios, kur në fund të vitit 2009 vendosën se kishin nevojë për një “pitbull” si Raiola pranë tyre. Grindjet e Balos me Mou janë tashmë pjesë e historisë. Po Mino? As kokën nuk e uli para “Special One”.
“Nuk e di sa duhet të durojë Mario, – rrëfeu ai. – Mourinho nuk duhet ta edukojë, por ta trajnojë”. Na kujtohen edhe telefonatat pas goditjes së Tottit në finalen e Kupës së Italisë më 5 maj 2010. “Mario nuk bëri asgjë. Ai është viktima, shkruajeni këtë”.
Ndihmë për Gigio
Një intervistë me të ndër vite ishte bërë e ndërlikuar, sepse kishte dhjetëra biznese nëpër këmbë dhe gazetarë nga e gjithë bota e kërkonin. Sidoqoftë, shpesh iu përgjigjej miqve të tij. Madje, gjithmonë kur shihte një avantazh të mundshëm. I pakënaqur nga soliditeti i pronësisë së re kineze, ai nuk donte që Donnarumma të rinovonte me Milanin.
“A je i sigurt të vazhdosh për një kohë të gjatë?” – pyeti ai me mesazh. Gigio vendosi të nënshkruante me kuqezinjtë dhe ai u pajtua. Herën e dytë e çoi në Paris si transferim të lirë. Ai nuk ka thënë kurrë “jo” në negociata, sepse nuk ka kthim prapa nga “jo”. Në fakt, ai tha shumë jo. Gjithmonë për hir të klientëve të tij.