Shkodër, 1 mars 2025 – Vrasja e 19-vjeçarit Pavlin Preka në Shkodër mbetet e mistershme për policinë, e cila ka zgjeruar hetimet në disa pista, përfshirë mundësinë e një konflikti banal, por edhe mundësinë që viktima të ketë qenë dëshmitar i një ngjarjeje të paligjshme.
Viktima, i cili u gjet i pajetë të enjten në oborrin e banesës së tij në fshatin Guci e Re, kishte marrë një plumb në pjesën e gjoksit. Asnjë dëshmi konkrete nuk është gjetur për ndonjë konflikt të tij personal, pasi të afërm dhe fqinjë të familjes Preka kanë deklaruar se nuk e dinin të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Policia ka sekuestruar telefonin e viktimës dhe po shqyrton mesazhet dhe komunikimet e tij të fundit për të parë nëse ato mund të hedhin dritë mbi ngjarjen. Grupi hetimor është gjithashtu duke analizuar kamerat e sigurisë që ndodhen në zonë, për të mundur të zbardhin detaje mbi ndodhitë para vrasjes.
Pavlini jetonte me të atin dhe merreshin me blegtori në Dukagjin, por shpeshherë ai vizitonte shtëpinë e tij në Guci e Re, ku fatkeqësisht u gjet i vdekur. Hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë ende në zhvillim, ndërkohë që grupi hetimor po shqyrton mundësinë që viktima të ketë qenë dëshmitar i një aktiviteti të paligjshëm.