Mitsotakis sjell në Tiranë delegacion nga Greqia për shërbimet kadastrale, synohet përmirësimi i shërbimit dhe më shumë lehtësi për qytetarët

0

TIRANË- Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi kanë hyrë në një fazë të re të bashkëpunimit dypalësh. Drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, priti në Tiranë një delegacion nga Greqia, i kryesuar nga zv.ministri për Qeverisjen Digjitale, Konstantinos Kyranakis, zv.ambasadori i Greqisë në Tiranë, Athanasios Astrakas dhe Presidenti i Kadastrës Greke, Stelios Sakaretsios.

Në fokus të takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave dhe forcimi i bashkëpunimit për modernizimin e shërbimeve kadastrale, me qëllim ofrimin e shërbimeve të shpejta dhe transparente për qytetarët. Kryeministri Edi Rama mësohet se i kërkoi Mitsotakis që ta ndihmohjë në shërbimet kadastrale. Kryeministri grek pas kërkesës së Ramës ka dërguar në vendin tonë një delegacion nga Greqia.

Stafi i ASHK do të përfitojë trajnim dhe ekspertizë në përdorimin e teknologjive më të avancuara në menaxhimin e të dhënave. Nga ky bashkëpunim synohet përmirësimi i proceseve për të siguruar shërbime më të shpejta dhe cilësore dhe më shumë lehtësi për qytetarët.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi me palën greke në fushën e shërbimeve kadastrale është rritja e transparancës dhe standardizimi i procedurave për një Kadastër moderne. Falë dixhitalizimit dhe përpunimit të shpejtë të aplikimeve, ASHK ka ulur si asnjëherë me parë stokun e madh të dosjeve sidomos në kryeqytet ku aktualisht punohet me aplikimet e vitit 2025. Në këtë drejtim po avancohet edhe me zyrat e tjera të ASHK në qytete të tjera të vendit.