ITALI- Roma vijon stërvitjet në Albufeira, ku qëndron e grumbulluar, pas ndeshjes së fituar dje kundër Sunderland. Skuadra verdhekuqe mbërriti sot në mëngjes në stadiumin ‘Municipal’ për një seancë stërvitore të hapur me publikun.
Pak para fillimit të seancës, Jose Mourinho ka regjistruar një video të postuar në rrjetet e tij sociale. Ai ka pasur falenderime për zjarrfikësit që po luftojnë kundër zjarreve të verës: “Jam pranë zjarrfikësve që po menaxhojnë zjarret në vendin tim dhe jo vetëm. Ata janë njerëz shumë të guximshëm që meritojnë respektin tonë”.
Më pas, tekniku portugez tregoi krahun e tij, në zonën e shpatullës, të mbuluar nga një fashë: “A jeni kuriozë të shihni tatuazhin tim? Së shpejti do t’jua tregoj”.Jose Mourinho bëri një tatuazh në Romë në ditën e zbarkimit të tij në kryeqytet, 2 korrikun e kaluar.