Moska akuzon Kievin për shkelje të armëpushimit të shpallur nga Rusia

0

RUSI- Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot se trupat ukrainase po përpiqen të shkelin kufirin rus në rajonet Kursk dhe Belgorod, ndërsa presidenti Vladimir Putin priti udhëheqës nga e gjithë bota në një paradë të madhe ushtarake në Moskë.

Ministria e Mbrojtjes tha se sulmet ndodhën gjatë një armëpushimi tre-ditor të shpallur në mënyrë të njëanshme nga Rusia nga 8 deri më 10 maj për të shënuar 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Kievi e ka quajtur propozimin për armëpushim një “farsë” dhe nuk e ka pranuar atë, duke sugjeruar në vend të kësaj që të dy vendet të miratojnë një armëpushim 30-ditor. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se javën e kaluar regjistroi katër përpjekje nga forcat ukrainase për të shkelur kufirin në rajonet Kursk dhe Belgorod.

Në Ukrainën lindore, trupat e Kievit sulmuan forcat ruse 15 herë gjatë armëpushimit. Ukraina ka thënë se Rusia ka shkelur vazhdimisht armëpushimin që shpalli këtë javë. Guvernatori i rajonit juglindor të Zaporizhzhya-s tha sot se Rusia kishte goditur tetë vendbanime ukrainase pranë një vije fronti 220 herë gjatë armëpushimit.

Në rajonin rus të Belgorodit, guvernatori lokal tha se një dron ukrainas kreu një sulm ndaj një ndërtese qeveritare sot. Në Kursk, trupat ukrainase nisën një operacion të madh për shkeljen e kufirit gushtin e kaluar dhe mbajtën nën kontrollin e tyre një pjesë të territorit rus për disa muaj, ndërsa forcat e Moskës luftuan për t’i dëbuar ata me ndihmën e ushtarëve të Koresë së Veriut. Përleshjet sporadike vazhdojnë, edhe pse Putini muajin e kaluar shpalli “fitoren” në Kursk.