Elbasani vijon të prodhojë talente në sport, dhe këtë herë në qendër të vëmendjes janë motrat Kokoneshi, që po dominojnë ping pongun në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.
19 vjeçarja Eris Kokoneshi ka marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar Studentor të ping pongut, ku është shpallur sërish kampione, duke konfirmuar formën e saj të shkëlqyer dhe vazhdimësinë në rezultate.

Ndërkohë, një tjetër sukses i jashtëzakonshëm vjen nga motra e saj, Ana Kokoneshi. Në Kampionatin Kombëtar të zhvilluar një ditë më parë, ajo ka shkëlqyer në dy disiplina, duke u shpallur kampione kombëtare në kategorinë U13, për moshën e saj.
Por arritja më e madhe e Anës është fakti se ajo ka thyer çdo parashikim, duke u shpallur kampione kombëtare edhe në kategorinë U19, ndonëse është vetëm 12 vjeçe.

Me këto rezultate mbresëlënëse, motrat Kokoneshi po dëshmojnë se nuk njohin kundërshtar në ping pongun shqiptar, duke u kthyer në një histori suksesi dhe krenarie për qytetin e Elbasanit./Infoweb Media





