Mrekulli! 27-vjeçari i zhdukur prej 3 ditësh gjendet me shenja jete brenda makinës së aksidentuar

0

Një ngjarje që kufizohet me mrekullinë është regjistruar këtë të premte në Bulqizë, ku një 27-vjeçar është gjetur me shenja jete, brenda një automjeti të rrëzuar në zallin pranë urës së Çeranecit, në aksin Bulqizë–Peshkopi.

Të parët që kanë vërejtur mjetin dhe të riun në brendësi të tij ishin disa fëmijë që po laheshin në lumë, të cilët më pas lajmëruan banorët e zonës. Këta të fundit kanë thirrur menjëherë ambulancën, e cila transportoi të plagosurin në spitalin e Bulqizës, ku po merr ndihmën mjekësore të nevojshme.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se i riu ka pësuar një aksident automobilistik rreth 2 ditë më parë, gjatë së cilës mjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në zall, duke mos u vënë re deri sot.

27-vjeçari, me origjinë nga Maqellara, ishte shpallur në kërkim prej tre ditësh nga familjarët, të cilët nuk kishin pasur asnjë kontakt me të.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të verifikuar gjendjen shëndetësore të të riut, i cili fatmirësisht është gjallë, pavarësisht se ka qëndruar për dy ditë në kushte të rënda.