‘Na kanë harruar’! Banorët e Mjeshovës kanë vetëm një kërkesë: Punojmë vetë, vetëm na shtroni rrugën

0

Banorët e fshatit Mjeshovë në Berat kanë kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare pasi s’kanë rrugë. Rruga që të çon te fshati është e amortizuar, e shtruar me kalldrëm.

Ndërkohë, pronat e fshatit janë në kufi me Dimalin, Roskovecin dhe Ballshin. Janë rreth 200 dylymë toka, të mbjella kryesisht me ullinj dhe arrë që këta banorë nuk shkojnë dot pasi s’kanë rrugë.

Grupi i “Fiks Fare” udhëtoi drejt këtij fshati, në afërsi të Malit të Shpiragut. Rruga deri në fshatin Sinjë është e asfaltuar. Por, sa kalon Sinjën për në Mjeshovë është e amortizuar. Gazetarët e Fiksit i presin rreth 30 persona, të cilët ankohen se rruga që kërkojnë është vetëm 3 kilometra dhe që lidh fshatin me tokat. Ata pohojnë se shteti i ka harruar, s’kanë rrugë për në fshat.

“Kemi 200 hektarë tokë që nuk shkojmë dot nga prona se s’ka rrugë. S’kërkojmë asnjë gjë nga shteti, vetëm rrugë. Punojmë vetë. Jemi në kufi me fshatrat e Roskovecit, Dimalit dhe Ballshit. Ata kanë rrugë dhe ne jo! S’na bëjnë rrugë të lidhemi me ta, është vetëm 3 km. Deri te ata është asfalt, ne s’e kemi parë me sy“, pohojnë banorët.

Të tjerë pohojnë se nga 400 familje që ka pasur fshati para viteve ’90, tani kanë ngelur 80 a 90. “Vijnë dhe hedhin ndonjë kamion çakull. Makinat mezi ecin në këtë rrugë. Ne jemi të izoluar nga të gjitha anët” vijojnë ata.

Grupi i Fiksit shkon edhe te rruga tepër e amortizuar që shkon nga tokat e këtij fshati. Rruga ishte në gjendje skandaloze, s’është vënë kurrë dorë nga institucionet shtetërore. Banorët pohojnë se paguajnë taksat po s’marin shërbim. “Kufizojmë me fshatrat e tjerë. Po shikoni se ata kanë rrugë, edhe te tokat e ne jo” vijojnë ata.

Fiksi bisedoi edhe me Drejtorin e Shërbimeve në Bashkinë Berat, Bledar Çili.

Drejtori thotë se janë në dijeni të problematikave të atij fshati, por momentalisht kanë disa urgjenca të tjera si pasojë reshjeve. “Kemi projekt ide për ta lidhur me Ballshin, po kushton shumë, është terren i vështire. Do çojmë skrepa për të hapur rrugën e tokave, sa të mbarojmë ato urgjenca”, pohon drejtori./ Top Channel

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu