Ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare ish-zëvendëskancelari austriak, Erhard Busek. Sipas një deklarate nga instituti (IDM), të cilin ai drejtoi, Busek ndërroi jetë papritur ditën e dielë. Ai filloi karrierën e tij politike në OVP në vitin 1964, dhe pesë vjet më vonë u bë Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm. Nga viti 1991 deri në 1995, ai shërbeu si kreu i OVP-së dhe zëvendës kancelar në një qeveri të përbërë nga Partia Popullore dhe Partia Social Demokratike (SPO).
Busek e kreu vizitën e tij të parë në Kosovë në vitin 1987, ku edhe zhvilloi takime me fytyra të politikës në atë kohë. Busek ishte personi i parë që e mundësoi pranimin e studentëve kosovarë në universitetet e Austrisë, në periudhën kur Slobodan Millosheviqi e kishte mbyllur Universitetin e Prishtinës.
Ish-zëvendëskancelari kishte lobuar dhe e kishte mbështetur luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi. Në vitin 2009, Erhard Busek mori titullin Doktor Honoris Causa nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Busek, ishte edhe koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore që ekzistonte nga vitit 1999. Ky institucion kishte për detyrë përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar këtë rajon. Vendet që ishin përfshirë në programin e ndihmave të Paktit të Stabilitetit ishin: Kosova, Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Serbia dhe Mali i Zi.