Ndarja nga jeta e Albright! Sot, ditë zie në Kosovë, ulen flamujt gjysmështizë

0

Sot është ditë zie në Kosovë, në nderim të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila humbi jetën të mërkurën në moshën 84-vjeçare. Me vendim të Presidentes Vjosa Osmani, flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe
jashtë vendit.

“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Osmani.

Albright, e cila udhëhoqi diplomacinë amerikane gjatë luftës në Kosovë, konsiderohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që NATO të ndërhynte mbi caqet ushtarake e policore serbe ndërhyrje kjo që çoi në çlirimin e Kosovës. Ajo ka qenë gruaja e parë e zgjedhur në pozitën e Sekretares amerikane të Shtetit më 1997. Ajo ka shërbyer në këtë pozitë deri më vitin 2001, nën administratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton. Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua në Prishtinë busti për nder të saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu