Kreu i Kishës Katolike të mbarë botës, Papa Françesku ndërroi jetë mëngjesin e ditës së sotme në moshën 88-vjeçare.
Shkak për vdekjen e tij është bërë një goditje në tru si dhe kolaps i pakthyeshëm kardiovaskular, të konfirmuara nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Higjienës së Shtetit të Vatikanit, profesor Andrea Arcangeli, thuhet në reagimin zyrtar të Vatikanit, raportohet në mediat italiane.
Shëndeti i Papa Françeskut ishte përkeqësuar gjatë kohëve të fundit pas betejës së rëndë me pneumoninë teksa qëndroi rreth 1 muaj i shtruar në spitalin Gemelli të Romës.
Dalja e tij e fundit ishte ditën e djeshme, në festën e Pashkëve, ku i shoqëruar dhe i ulur në një karrocë bëri me dorë nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit.
Një dalje e pritur me padurim nga të gjithë besimtarët, Papa Françesku bekoi mijëra njerëz në sheshin e Shën Pjetrit, duke tërhequr brohoritje dhe duartrokitje nga turma.
Porositë e fundit që ai kishte, ishte armëpushimi në Gaza, paqen në Ukrainë dhe në rajonet afrikane dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve që të shtrijnë dorën për popullsinë e Mianmarit të cilët u goditën nga tërmetet shkatërruese.
Ndër të tjera, Papa Françesku bëri thirrje për respektimin e lirisë fetare dhe kërkon lirimin e të burgosurve të luftës dhe të burgosurve politikë, gjatë Jubileut.