Ndërhyri për të mbrojtur një vajzë, por e vranë, burg për autorët

0

Gjykata e Tranit në Itali ka dhënë vendimin për autorët e vrasjes së një shqiptari dy vite më parë. Viktorjan Picaku, 24 vjeç, humbi jetën më 1 Gusht të 2018-s pasi u qëllua me armë në një shesh të populluar në Corato.

Për ngjarjen u vunë në pranga Domenico Manzi, 23 vjeç dhe Domenico Patruno, 31 vjeç, të dy me precedentë të mëparshëm penalë. Gjykata dha të mërkurën 16 vjet burg për Manzi-n, ndërsa 10 vjet burg për Patrunon. Prokuroria kishte kërkuar 20 vjet për 23-vjeçarin dhe 18 vjet heqje lirie për tjetrin.

Pas vrasjes së Picakut, ata u arratisën nga vendngjarja me një motor Vespa. Pas disa orësh, dy italianët u vetëdorëzuan në polici. Ai që qëlloi në drejtim të Picakut ishte Domenico Manzi.

I riu shqiptar kishte shkuar në Itali për të punuar. Ai ishte me origjinë nga Mirdita. Mediat italiane kanë hedhur poshtë çdo aludim për lidhje kriminale të tij. Sipas tyre, Picaku u qëllua për shkak se kishte ndërhyrë për të mbrojtur një vajzë që po dhunohej nga një italian.

Sipas familjarëve, ky incident kishte ndodhur disa ditë para vrasjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu