Ndërtimi i HEC-it në Kaçinar, banorët protestë para Ministrisë së Energjetikës: Balluku të vijë këtu! Po na vjedhin ujin, kallëzim kryebashkiakut e koncesionarit!

0

Banorët e fshatit Kaçinar të Mirditës protestojnë kundër ndërtimit të HEC-it në zonë dhe denoncojnë publikisht para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës për dhënien e lejes së projektit, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e prokurorisë me hetime sipas kallëzimit penal, pasi e cilësojnë në shkelje të ligjit nga ana e zyrtarëve vendorë dhe qendrorë.

Të tubuar ditën e sotme (2 maj) para godinës së MEI, ata hodhën thirrje se “Uji është jetë, mos na thaj shpirtin” dhe “Jo dorë e zezë mbi Mirditën e bardhë”.

“Ata duan të na vjedhin ujin, pasurinë më të çmuar të njeriut. Nuk kemi asnjë lloj informacioni. Banorët nuk u vunë në dijeni për lejen që është e paligjshme. Organet kompetente të hetojnë, është në shkelje të ligjit. Të ndalohet ky projekt dhe ndërtimi i HEC, kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet”, thanë mes të tjerash organizatorët e protestës dhe banorët e Kaçinarit.

Madje sipas tyre ka edhe një kallëzim penal për këtë rast ndaj kryetarit të Bashkisë dhe pronarit të firmës koncesionare dhe që “duhet të përgjigjen para ligjit dhe drejtësisë”.

Ata i bënë thirrje edhe ministres Belinda Balluku që të vepronte sipas ligjit dhe ta ndalonte dhe anulonte lejen, si dhe të pezullonte punimet e HEC-it. Ata bënë përgjegjës edhe kryebashkiakun e PD-së në Mirditë, Albert Mëlyshi, si përgjegjës për lejimin e këtij projekti.