Ndeshja Milan-Como mund të ndryshojë përgjithmonë historinë e Serisë A

0

Milani ka një plan ambicioz, për të cilin ka bërë një kërkesë zyrtare në organet më të larta të futbollit italian.

Kuqezinjtë synojnë që të përhapin sa më shumë markën e tyre në botë dhe kanë bërë një kërkesë në Federatën Italiane, UEFA dhe FIFA, që t’i lejojë të luajnë një sfidë të Serisë A në Australi.

Bëhet fjalë për javën e parë të shkurtit, kur në qytetin e Milanos, në stadiumin “San Siro” do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore. Më datë 7 ose 8 shkurt, në atë impiant është planifikuar të zhvillohet edhe ndeshja mes Milanit dhe Comos.

Duke shfrytëzuar rastin, Milani ka bërë kërkesën e veçantë që këtë ndeshje ta zhvillojë në “Optus Stadium” të Perthit, me 60 mijë vende.

Në parim Liga Italiane e Futbollit është dakord, pasi kërkon të zgjerojë sa më shumë shikueshmërinë e futbollit italian dhe Milani është ndër klubet më të njohura në arenën ndërkombëtare. Mbeten për t’u bindur organet drejtuese kombëtare e ndërkombëtare, për një lëvizje që do të ishte historike, pasi do t’i hapte rrugë edhe skuadrave të tjera që në raste të rralla të bënin të njëjtën gjë.