VLORË- Gjykata e Vlorës ka caktuar “arrest me burg” për tre nga personat që ndihmuan Flodian Plakun teksa ishte në kërkim për vrasjen e Gentjan Bejtjas. Ndërkohë është caktuar masa “detyrim paraqitje” për një tjetër.
Në burg është lënë Albano Lapshi, i cili i çonte ushqim të shumëkërkuarit, Ligor Doko, pronari i hotelit ku u arrestua Pole Qorri dhe Julian Aliaj, që u kap me pistoletë gjatë operacionit. Në detyrim paraqitje është lënë berberi Armando Dano, me origjinë nga Shkodra.
Kush është Flodian Plaku
Flodian Plaku dyshohet si një nga tre atentatorët e vrasjes së Gentian Bejtjas, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024, në fshatin Larushkë të Krujës. Plaku është pjesë e grupeve të Vlorës. Plaku dyshohet se ka vepruar si vrasës me pagesë. 42-vjeçari nga Vlora, mban edhe dy mbiemra të tjerë, Flodian Mamo dhe Flodian Serjani, por që njihej edhe me pseudonimin “Pole Qorri”.
Nga hetimet e Policisë ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë. Pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Po sipas hetimeve, policia tha se është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volksëagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Vrasja e Gentjan Bejtjas
Gentian Bejtja u ekzekutua me 15 mars në banesën e tij. Ai ishte një emër i njohur për drejtësinë dhe ishte i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda. Në 9 janar të vitit 2022, Gentian Bejtja ish-polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka i cili ndodhej me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Dy të dyshuarit për vrasjen e tij janë Edison Haxhia dhe Ilir Beqaraj.





