Reali i Madridit dhe Mançester Siti do të jenë përballë tyre jo vetëm në fushë, por edhe në merkato. Sipas mediave spanjolle, “los blancos” kanë gjetur te “qytetarët” rivalin e radhës në garën për të nënshkruar me yllin e Dortmundit, Xhud Bellingam.
Me tërheqjen e Liverpulit nga gara, tashmë gara për talentin e kombëtares angleze është kthyer në një përballje mes Realit dhe Mançester Sitit.
Në fakt ka qenë një lëvizje surprizë ajo e klubit anglez, që kishte kohë që po qëndronte në hije. Megjithatë, në mediat spanjolle, por dhe ato angleze, këtë ndërhyrje të Sitit e shohin më shumë si një ngacmim që vjen përpara përballjes së këtyre dy klubeve në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Por, në Madrid duken të qartë se ata janë në “pole position” për të nënshkruar me yllin e Dortmundit.