Nëna e Endrit Mustafës, të riut që u vra më 14 maj të vitit 2021 akuzon Edison Arazin si autor të këtij krimi. Arazi, i njohur me nofkën Coli, sipas nënës së Mustafës është personi që ka ekzekutuar të birin, por nuk ka qenë i vetëm. Në dëshminë e publikuar nga gazetari Adriatik Doçi për Shqiptarja.com thuhet se në shtëpi ka hyrë Ergys Malja, 15-vjeçari që ndodhet pas hekurave dhe pritet të dënohet si bashkëpunëtor në krim. Malja, sipas nënës së Mustafës, i ka kërkuar kalin për Astmer Bilalin, dhe se pas kësaj bisede, i biri ka dalë nga shtëpia duke thënë se do të kthehej për 10 minuta në shtëpi, por kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Shtëpia e Bilalit është vendi ku sipas nënës së Mustafës është thurur i gjithë plani.
“Ergysi na ka ardhur në shtëpi dhe ka lyp kalin për Astmer Bilalin, se nji ky Ergys është shoku që hyn del natë-ditë ke Astmer Bilali. Djali jem nuk është marrë as me Ibrahim Licin as me Astmerin. Shokë i ka pas, por ka thënë gjithmonë, se unë nuk merem me ta… Ka dalë djali jashtë, ka ndejt nja 10-15 minuta dhe i ka thanë nuses mi baj teshat gati se du me ik me Ergysin deri në Livadhe dhe për 10 minuta vij. Unë i thashë,…mos moj nanë mos shko me të se të nxjerrë në pritë, se kush e di se ça të ka ba me nanën. Por djali m’u përgjigj se për 10 minuta vjen në shtëpi dhe ai nuk më erdhi më, s’më hapte celularin, ma ka qit djalin për paret, ma ka shuar shtëpinë, ah ça më ka bërë ky djalë. Ky është mostër i tan botës, njeri i poshtër që më ka marrë në qaf… Djali më tha nan mos u bëj merak se nuk jam vetëm se jam edhe me “Colin”. Unë tash e kam marrë vesh se “Coli” është Edison Arazi. Ergysi dhe Edison Arazi, janë shokët e Astmer Bilalit dhe kanë ndejt ditë-natë tek Astmer Bilali dhe aty është bërë gjurulldia. Kjo është meseleja që thoni se jo është Ibrahim Lici jo ai. Askërkush nuk është dhe unë këto gjëra i kam dhënë në deklaratën qysh në fillim. Edison Arazi ma ka nxjerrë djalin në pritë me Ergysin. Edison Arazi është që më vra djalin. Unë prej këtyre të dyve, kërkoj djalin me drejtësi,”- ka deklaruar ajo.
Disa ditë pas vrasjes së Endri Mustafës, Edison Arazi u arrestua, por më vonë u lirua. Bashkëpunëtori i drejtësisë, dëshmitari kryesor për vrasjen e Endri Mustafës, 15-vjeçari Ergys Malja vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë por më pas u tërhoq. Fillimisht ai tregoi se Ibrahim Lici ishte personi që e vrau Mustafën para syve të tij, por më pas tërhoqi gjithçka mbrapsht. Endri Mustafa, person me precedentë penalë rezultonte i zhdukur prej tre ditëve, u gjend në 17 maj 2021 i vrarë me 6 plumba në periferi të Shkodrës. Ai ishte qëlluar një herë në gojë, ndërsa kishte edhe dy plumba të tjerë në kokë dhe tre në gjoks. Trupi i të riut u gjet i hedhur në zonën e Livadheve në Lagjen “Guerrile” pranë brigjeve të liqenit.