ITALI – Hetimi për vrasjen brutale të Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare që studionte në Romë, ka hyrë në një fazë të re. Pas rrëfimit të ish-të dashurit të saj, Antony Mark Samson, 23 vjeç, i cili ka pranuar se e ka vrarë me thikë gjatë një debati në banesën familjare, autoritetet italiane kanë vendosur të hetojnë edhe nënën e tij.
Sipas burimeve të agjencisë LaPresse, nëna e Samsonit është përfshirë në listën e të dyshuarve për bashkëpunim në fshehjen e kufomës. Ajo dyshohet se ka ndërhyrë menjëherë pas krimit, pasi ka dëgjuar britmat e vajzës dhe e ka parë trupin e pajetë në dhomën e gjumit.
Në vend që të lajmëronte autoritetet, ajo dyshohet se ka ndihmuar të birin në pastrimin e skenës së krimit në apartamentin në via Homs, në lagjen afrikane të Romës.
Ndërkohë që Samson pretendon se ka vepruar i vetëm, hetuesit nuk janë të bindur nga versioni i tij dhe po hetojnë më thellë rreth rolit të mundshëm të familjarëve. Të dhënat telefonike të nënës dhe babait do të analizohen me kujdes për të kuptuar lëvizjet e tyre në orët pas krimit.
Nëna e Samsonit do të merret në pyetje të hënën, më 7 prill, nga Seksioni i Vrasjeve në Shtabin e Policisë së Romës. Qëllimi i hetimit është të sqarojë saktësisht çfarë ndodhi në orët e pas krimit dhe kush tjetër mund të ketë qenë i përfshirë në fshehjen e provave.
Trupi i Ilaria Sulës, e zhdukur më 25 mars, u gjet natën mes 1 dhe 2 prillit, duke mbyllur ditët e ankthit për familjarët dhe shokët e saj. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sjellë drejtësi për të ndjerën.