Netanyahu shpall armëpushimin me Iranin fitore historike: Goditëm zemrën bërthamore dhe raketore të Teheranit!

0

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshkruar armëpushimin e arritur me Iranin si një “fitore historike”, duke theksuar se kjo ishte një nga momentet më të rëndësishme për sigurinë kombëtare të vendit të tij.

Në një deklaratë publike, Netanyahu tha se kjo fitore do të mbahet mend për brezat e ardhshëm, pasi, sipas tij, u arrit eliminimi i dy kërcënimeve ekzistenciale: programit bërthamor iranian dhe raketave balistike.

“Po të mos kishim vepruar, rreziku për zhdukjen e Izraelit do të ishte i pashmangshëm,” u shpreh ai me tone të ashpra.

Sipas tij, Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) goditën në thelb strukturën drejtuese të ushtrisë iraniane, duke neutralizuar tre shefa shtabi, shkencëtarë të përfshirë në programin bërthamor si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

Netanyahu deklaroi se objektiva kyç bërthamorë në Isfahan, Natanz dhe Arak janë shkatërruar plotësisht gjatë sulmeve ajrore të Izraelit.

Ai gjithashtu falënderoi Presidentin e SHBA, Donald Trump, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Izraelit gjatë konfliktit.

“Miku ynë i madh, Presidenti Trump, na qëndroi pranë. Nën udhëheqjen e tij, ushtria amerikane ndërhyri dhe goditi objektin e pasurimit të uraniumit në Fordo, të ndodhur në thellësi të tokës,” deklaroi Netanyahu.