Netanyahu: Të gjitha territoret e Rripit të Gazës do jenë nën kontrollin e Izraelit

0

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se vendi i tij është “i përgatitur” për një mundësi për një armëpushim të përkohshëm dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Ai tha gjatë një konference për mediat se forcat izraelite e kanë “goditur” armikun e tyre në jug dhe i kanë bërë ballë presionit “të jashtëzakonshëm” për të ndaluar luftën.

Lidhur me temën e Operacionit “Qerret e Gideonit”, ofensiva e re tokësore izraelite në Gaza, Netanyahu tha se “në fund të kësaj fushate, të gjitha territoret e Rripit të Gazës do të jenë nën kontrollin e sigurisë së Izraelit”.

Ai tha se ka dëgjuar nga “miqtë më të mëdhenj” të Izraelit, të cilët i kanë thënë se do t’i japin mbështetjen e tyre të plotë dhe do të dërgojnë armë, por se “nuk mund të pranojnë një situatë ku ka një krizë humanitare në Gaza”.

Sipas Netanyahut, Izraeli ka zhvilluar një program të ri me tre faza me SHBA-në për të shpërndarë artikuj bazë ushqimorë për popullsinë civile në Gaza.

Ky plan përfshin sjelljen e artikujve bazë ushqimorë “për të parandaluar një krizë humanitare”, hapjen e pikave të shpërndarjes së ushqimit nga kompanitë amerikane të siguruara nga forcat izraelite dhe krijimin e një “zone sterile” në jug ku civilët e Gazës mund të marrin “ndihmë të plotë humanitare”, tha ai.

Netanyahu tha se Izraeli do të ndjekë planin e Donald Trump, nuk do të ndalojë deri sa të eleminojë plotësisht Hamasin dhe të lirojë çdo peng.