“Nga burgjet janë kërcënuar kandidatë të opozitës”, Hoxha: Në çdo qark të madh, bandat kanë nga një deputet në listën e Edi Ramës!

0

TIRANË- Gazetari Artan Hoxha së fundmi është shprehur se në çdo qark të madh bandat kriminale kanë nga një deputet të tyre në listën e grupit parlamentar të Edi Ramës. Hoxha i ftuar në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV u shpreh se në çdo qark ku duheshin marrë vota është caktuar një përfaqësuesi i organizatës më të madhe që mbulon atë zonë ose është marrë në patronazh nga ata.

Hoxha teksa merrte qarqet me radhë theksoi se në Tiranë janë votuar më shumë ministrat ndërsa në qytetet të tjera kanë dalë më të votuar kandidatë krejtësisht të panjohur. Sipas tij të burgosurit e ndihmuan PS-në edhe në mandatin e tretë të fitonte zgjedhjet dhe se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e 11 majit. Hoxha shtoi se nga burgjet pak ditë para zgjedhjeve janë telefonuar kandidatë të opozitës, duke u kërcënuar.

“Në çdo qark të madh të rëndësishëm, ku duheshin marrë vota, një kandidat ose është caktuar si përfaqësues i organizatës më të madhe që mbulon qarkun, ose është marrë në patronazh nga ata. Dhe unë po them vetëm një gjë; shikoni tabelën e votës nominale, shikoni ku janë thyer rekordet.

Qarku i Tiranës, çuditërisht votat e mëdha i kanë marrë ministrat e rëndësishëm. Po zbrite në Elbasan ty të del një kandidat krejtësisht i panjohur. Si është e mundur që vjen me këtë diferencë kaq të thellë dhe kaq të madhe.

Shkon në Durrës dhe gjen një kandidat tjetër, i cili konkurron vetëm me Elbasanin. Shko në Lezhë, ke një kandidat tjetër. Në Fieri, ke një kandidat tjetër. Edhe në burgje ka fituar thellë. Ata që e ndihmuan për mandatin e tretë janë në burg, dhe e kanë ndihmuar edhe për mandatin e 4-të.

Edhe në Korenë të Veriut nuk ndodh kjo gjë. Ne sot jemi para faktit se PS e nxjerr një deputet me 9700 vota, PD me 10400 vota, PSD me 16500 vota. Pra këta humbën edhe vlerën e votës. Për të nxjerrë një mandat, vlejnë 9 mijë vota socialistësh, por nuk vlejnë 20 mijë vota të një partie tjetër.

Ne këtë ja lamë në dorë Task Forces, sa ishte fushata nuk ndodhi asgjë. U kap një demokrat në Lushnje, u godit PSD, dhe çuditërisht këta që sollën këtë fitoren e madhe nuk u ka shkuar askush, nuk kanë ceduar askund.

Gjithë këto ndërhyrje dhe interferime nga burgjet, transferime që u bënë në burgje, si ka mundësi që nuk u përgjua njeri. Me kë kanë folur ata, a janë parë kandidatët e forcave rivale në qarqet ku kishte betejën më të madhe, kush i ka marrë në telefon nga burgjet, duke filluar nga burgu i Reçit, e duke zbritur në poshtë.

Sot për ta mbuluar nxori një komunikatë që SPAK çon për gjykim Suel Çelën dhe ca të tjerë. E dini cila dosje është ajo? E 2022, ‘Plumbi i artë’, ti ke tre vjet fiks nga ajo histori’, theksoi Artan Hoxha