Elbasani është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të finales që do të kenë me Partizanin këtë të diel.
Verdhebluve u mjafton edhe një barazim për të qenë pjesë e “Final 4”, ndaj edhe shanset për ta ruajtur vendin e katërt janë reale dhe të mëdha. Për këtë arsye, në kampin elbasanas janë optimistë për ta mbyllur ashtu siç duhet këtë sezon, ku siç dihet kanë plot 11 ndeshje që nuk munden. Për momentin, Gvozdenoviç i ka të gjitha “kartat” në rregull për të dërguar Elbasanin mes katër më të mirave të futbollit shqiptar. Një 90-minutësh që verdheblutë i gjen në momentin e tyre më të mirë.
PËR HISTORINË – Elbasani luan të dielën për të bërë historinë. Pjesëmarrja në katërshe përkthehet ndryshe edhe arritja në Europë, për shkak se mjafton qoftë edhe vendi i katërt për të qenë pjesë e Konferencë Ligë. Verdheblutë kanë mundësinë që të “kopjojnë” skuadrën e Kukësit, e cila debutoi në sezonin 2012-2013 në elitën e futbollit shqiptar, duke zënë vendin e dytë dhe marrë kështu pjesë në Ligën e Konferencës. Elbasani ka shansin e madh ta përsërisë një arritje të tillë dhe për këtë janë vetëm 90 minuta larg. Edhe për Elbasanin është një debutim në Kategorinë Superiore dhe ndodhen vetëm një hap larg arritjes së këtij suksesi.
REKORDI UNIK – Nga ana tjetër, verdheblutë kanë në duar edhe një shans unik dhe rekord të pabesueshëm nëse do të ndodhë që të jenë pjesë e katërshes. Do të ishin e vetmja skuadër e futbollit shqiptar, që e nis nga zero në Kategorinë e Tretë dhe ngjit vit pas viti nga një shkallë dhe shkon në Europë. Një rekord që deri-diku është vënë me arritjen deri në Superiore, por që do të kompletohej me shkuarjen në “Final 4”. Një premtim i bërë ky para katër vitesh nga ana e drejtuesve dhe që për kohën dukej më shumë një dëshirë, ndërsa sot është një realitet më se i arritshëm.
ËNDRRA TITULL – Elbasani është ekipi i momentit dhe nëse kalon Partizanin të dielën, bëhet pretendent serioz edhe për titullin kampion. Dukej utopi, por për shkak të formulës shanset janë reale dhe në Elbasan kanë nisur të ëndërrojnë. Për më tepër do të bëhej fjalë për një tjetër rekord të pabesueshëm, por gjithsesi në klub për momentin nuk janë duke parë kaq larg, por e gjithë vëmendja është e përqendruar tek 90-të minutat me Partizanin. Në varësi të rezultatit që do të marrin, më pas do bëjnë llogaritë se deri ku mund të arrijnë.