Nga kampe për azilkërkues në qendra riatdhesimi, mbërijnë nesër në portin e Shëngjinit 40 emigrantë të dëbuar nga Italia, do të vendosen në Gjadër

0

ITALI- Ditën e nesërme në Portin e Shëngjinit pritet të mbërrijnë 40 emigrantë të dëbuar nga shteti italian, të cilët do të vendosen në kampin e Gjadrit. Anija e parë me emigrantë pritet të mbërrijë në orën 15:00 me 15 emigrantë dhe e dyta rreth orës 19:00 me 25 emigrantë të tjerë. Ky fluks pritet të rritet, por konfirmohet se në vazhdim do të operohet me linjat ajrore për të sjellë emigrantët.

Pak javë më parë qeveria italiane me kryeministre Giorgia Melonin, ndryshoi planin për dy qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër të ndërtuara fillimisht për të strehuar emigrantët në pritje të azilit, teksa tani do përdoren për të strehuar emigrantët e dëbuar nga shteti italian.

Bazuar në këtë, koha e qëndrimit të emigrantëve në kampet shqiptare do të jetë deri në 18 muaj. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi në një intervistë të datës 25 mars 2025 konfirmoi një ulje të ndjeshme të ardhjeve të emigrantëve falë politikave të parandalimit, duke treguar se si qendrat shqiptare të Gjaderit dhe Shëngjinit mund të përdoren për të forcuar sistemin e riatdhesimit. Ai propozoi që këto qendra të shndërrohen në Qendra të Paraburgimit të Riatdhesimit (CPR), duke lejuar kështu që emigrantët e parregullt të kthehen në shtëpi, pa të drejtë qëndrimi në Itali.

Emigrantët e ardhur në janar 2025 ishin grupi i tretë dhe më i madh që ka ardhur në qendrën e pritjes në Shëngjin. Në dy rastet e mëparshme, tetorin dhe nëntorin e kaluar, gjyqtarët nuk kishin vërtetuar ndalimin e azilkërkuesve të sjellë në objektet shqiptare. Qeveria italiane u ndalua disa herë nga gjykatat për të sjellë emigrantë në Shëngjin dhe Gjadër. Shkak i ndalimit dhe kthimit të emigrantëve ishin listat e vendeve të origjinës së azilkërkuesve, ku qeveria italiane pretendonte se nuk duhet të ketë një listë të unifikuar për të gjitha shtetet e BE.

Në vitin 2023, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama arritën një marrëveshje për ndërtimin e këtyre qendrave, me qëllim që Italia të menaxhojë fluksin e emigrantëve jashtë territorit të saj, duke shfrytëzuar Shqipërinë si një qendër pritjeje. Kjo marrëveshje ngjalli kritika të shumta nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e shohin këtë projekt si një përpjekje për të zhvendosur problemin e emigrantëve në vende më të dobëta në aspektin ligjor dhe ekonomik.

Më 30 dhjetor 2024, Gjykata e Kasacionit në Itali i dha të drejtë Giorgia Melonit dhe kabinetit të saj të cilët pretendojnë se secili shtet duhet të ketë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta dhe të pasigurta. Ndër të tjera, për pjesën e listës së vendeve të sigurta, Gjykata e Kasacionit tha se gjyqtarët e çështjeve të secilit rast nuk zëvendësojnë vlerësimin, i cili në përgjithësi është përgjegjësi vetëm e Ministrit të Jashtëm dhe Ministrave të tjerë.

Marrëveshja për emigrantët është kritikuar nga opozita italiane se është e shtrenjtë, me një kosto rreth 800 milionë euro gjatë pesë viteve, dhe sipas tyre trajton vetëm një pikë në oqeanin e emigrantëve që arrijnë në Itali çdo vit. Nga ana tjetër Komisioni Evropian dhe disa liderë evropianë kanë shprehur interesin që ai të bëhet një model i mundshëm për menaxhimin e emigrantëve jashtë territorit të BE-së.