Nga shembja e urës për këmbësorë në Finlandë, 27 të lënduar

0

Rreth 27 të rinj, kryesisht fëmijë, u plagosën të enjten, më 11 maj, në Finlandë, kur një urë e përkohshme u shemb pranë një kantieri ndërtimi, thanë zyrtarët finlandezë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 9:20 të mëngjesit, sipas orës lokale në Espo, afër kryeqytetit Helsinki, kur dërrasat mbi urë nuk mbajtën dhe grupi ra pesë deri në gjashtë metra në trotuarin e një rruge të vogël anësore.

Shumica e të plagosurve ishin nxënës të klasës së tetë, rreth 14 ose 15 vjeç, të cilët ishin në një udhëtim shkollor, thanë zyrtarët e qytetit. Në mesin e të lënduarve është edhe mësuesi i tyre.

Njëzet e katër persona u transferuan në spitale të ndryshme në rajonin e Helsinkit.

“Askush nuk ka lëndime që rrezikojnë jetën”, njoftoi shërbimi spitalor HUS i Helsinkit, duke shtuar se shumica kishin gjymtyrë të thyera.

“Nuk ka asnjë tregues se ekziston rreziku i paralizës, por ka lëndime në kokë”, u tha gazetarëve drejtori mjekësor i HUS-së, Eero Hirvensalo.

Shkaku i shembjes nuk është konfirmuar dhe është duke u hetuar, njoftuan autoritetet e qytetit Espo.

Kreu i departamentit të arsimit të qytetit në Helsinki, Sattu Jarvenkalas, tha për AFP-në se të lënduarit janë nxënës nga shkolla e mesme Kalasatama në kryeqytet.

“Ata ishin në një udhëtim të rregullt në Muzeun e artit Ema. Pastaj, ndodhi aksidenti” tha ajo.

Sipas saj, në shkollë u formua një ekip krize.

Qyteti i Espo njoftoi se më 5 maj, në ndërtesë u kryen inspektime e fundit javore.

Kontraktuesi, Jarno Tuuri, kompania e të cilit ndërtoi urën, tha për të përditshmen Iltalehti se “asgjë e pazakontë nuk është vërejtur” gjatë kontrolleve javore.

“Sigurisht se situata është shumë e keqe. Tani po kontrollojmë të gjitha strukturat dhe po bëjmë përforcimet e nevojshme shtesë”, tha ai.

Drejtori i shërbimeve të qytetit të Espo, Yuka Makela, shprehu keqardhjen e tij për të lënduarit dhe shtoi: “Kjo, thjesht, nuk duhej të ndodhte”.

“Lajm tronditës nga Espo. U japim forcë të plagosurve në aksident dhe të dashurve të tyre. Jeni në mendimet tona”, shkroi kryeministrja Sana Marin në Twitter.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu