Nga sot Greqia lehtëson masat anticovid, po në Shqipëri?

0

Prej ditës së sotme, Greqia do të lehtësojë masat anticovid, pas muajsh të gjatë të përballjes me pandeminë, ndërsa në Shqipëri ende është e ndaluar të dalësh nga shtëpia pas orës 23:00 pa një leje nga shteti.

Në udhëzimin e ri në Greqi do të lejohen klientë që frekuentojnë lokalet, klubet dhe qendrat e argëtimit në këmbë, çfarë ndalohej rreptësisht për thuajse gjithë periudhën e pandemisë, ndërsa edhe tavolinat duhet të ishin në distancë dhe me numër të kufizuar klientësh.

Përveç kësaj mase të shumëpritur nga bizneset e argëtimit, do të kufizohet puna on line në 20% të të punësuarve të sektorit publik e privat, kapaciteti i tifozëve në stadium do të rritet nga 10% në 50%, si dhe do të lejohen sërish ekskursionet shkollore dhe disa aktivitete kulturore në ambiente të mbyllura, me kushte të caktuara.

Ministri i Shëndetësisë, Athanasios Plevris ka deklaruar shpesh ditët e fundit se nga çelja e sezonit turistik në 1 mars e deri në fund të muajit do të hiqen gradualisht të gjitha masat mbrojtëse kundër Covid 19 në vend. Epidimiologët kanë sugjeruar lehtësimin e masave pas rënies së ngarkesës virale dhe numrit të intubuarve, konkretisht sot me 470, ndërkohë që mbetet i lartë numri i të infektuarve të rinj, dje 18.605 dhe numri i vdekjeve nga komplikacione të Covid-19, dje 80 veta humbën jetën në gjithë vendin.