Ngacmoi dy nxënëse nëshkollën e tij, AKAP shkarkon mësuesin e shkollës “Sali Halili” në Rrajcë!

0

Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar ka shkarkuar nga detyra mësuesin e shkollës “Sali Halili” në Rrajcë të Prrenjasit, Fatmir Hoxha, pasi ky i fundit u arrestua nga policia për ngacmim seksual ndaj dy nxënësve të kësaj shkolle.

AKAP thotë në njoftim se menjëherë pas marrjes së këtij informacioni janë kryer verifikimet përkatëse me punonjësin e shërbimit psiko-social dhe oficerin e sigurië në shkollë, teksa rasti po hetohet edhe nga policia e shtetit.

Ndaj 55-vjeçarit kishte patur denoncime nga familjet e dy nxënësve të ngacmuara prej tij, 13 dhe 14 vjeç. Ndërsa më herët komuniteti aty kishte kërkuar që Hoxha të largohej nga puna si mësues.

Pas denoncimit të fundit 55-vjeçari u largua nga fshati Rrajcë, teksa policia më pas bëri të mundur ndalimin e tij në Rinas, teksa po përpiqej të ikte me avion.

Njoftimi i AKAP:

Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar njofton se, pas informacioneve të marra mbi një rast të dyshuar ngacmimi ndaj nxënëseve në shkollën e bashkuar “Sali Halili” në Rrajcë, është ndërmarrë menjëherë masa disiplinore e shkarkimit nga detyra për mësuesin Fatmir Hoxha.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, drejtoria e shkollës, në bashkëpunim me punonjësen e shërbimit psiko-social dhe oficerin e sigurisë, zhvilloi verifikimet përkatëse.

Rasti është referuar zyrtarisht pranë Policisë së Shtetit dhe është në ndjekje për hetime të mëtejshme nga organet kompetente.

AKAP është e angazhuar maksimalisht me institucionet arsimore për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e çdo fëmije dhe fuqizimin e mekanizmave parandalues në bashkëpunim me shërbimet psiko-sociale, oficerin e sigurisë dhe stafet arsimore.