Në një pjesë të vijës bregdetare të Kune-Vainit, në afërsi të plazhit të Shëngjinit, banorët kanë vendosur prita për të mbrojtur nga erozioni brezin e pishave si dhe banesat dhe bizneset e tyre. Eksperti i mjedisit Jakë Gjini thotë se në këtë zonë, çdo vit erozioni rrëmben 2.5 metër nga brezi i rërës.
“Situata vërtetë është shumë e riskuar, si rezultat i erozionit bregdetar, ku deti avancon në të gjithë bregdetin e Kune-Vainit me një shpejtësi mesatarisht prej 2.5 metër në vit, në të gjithë zonën e sheshtë, Pra, deti përparon drejt një terreni ligatinor, ku po e tjetërson”.
Ngrohja globale, shoqëruar me ndryshimet klimatike në dhjetëvjeçaret e fundit, sipas ekpertit Gjini, kanë ndikuar në rritjen e nivelit të detit dhe ndryshimin e konfigurimit të vijës bregdetare, me pasoja për mjedisin natyror dhe jetën e banorëve.
“Kemi një erozion jashtëzakonisht agresiv, ku deti përparon deri në 20 metër në vit. Dhe, po të llogarisim përparimin që ka bërë deti këtu, vetëm në një distancë prej 11 kilometërsh, vetëm në Kune-Vainin, nga vitet ’70 deri sot, janë asgjsu të paktën 368 hektarë. Është një sipërfaqe e konsiderueshme, e tjetërsuar, e kthyer nga një mjedis ligatinor, me një biodiversitet mjaft të spikatur, sot është kthyer në det”.
Erozioni dhe abrazioni bregdetar është shtrirë thuajse në të gjithë pjesën shqiptare të bregdetit të Adriatikut. Profesori i gjeografisë në Universitetin e Shkodrës, Ervis Krymi, thotë zona të tilla si grykëderdhja e Lumit Buna dhe një pjesë e bregdetit të Velipojës kanë pësuar ndryshime të theksuara vitet e fundit për shkak të ndryshimeve klimatike, shoqëruar me erozionin bregdetar.
“Kjo shikohet mjaft qartë tek delta e Lumit Buna, që ka një dinamikë jashtëzakonisht të madhe dhe që është parë sidomos vitet e fundit. Kemi tashmë edhe zhdukjen e një ishulli, ishulli i Franc Jozefit, apo daljen e disa ishujve te tjerë, që në momente të caktuara dalin për një periudhë të shkurtër. Normalisht, këtu ndikojnë edhe veprimtaria e lumejve Drin dhe Bunë, që sjellin depozitimet e tyre pikësisht në këtë grykëderdhje”.
Efektet e ndryshimit të klimës, sidomos rritja e nivelit të detit dhe erozionit bregdetar, shoqëruar me aktivitetet ekonomike të njerëzve, po ndikojnë negativisht kundrejt mjedisit dhe banorëve që jetojnë në këtë zonë. Krahasimi i hartave të vjetra topografike me pamjet e shumta satelitore, sipas profesor Krymit, dëshmojnë për ndryshimet e thella te vijës bregdetare. Kjo shikohet mjaft qartë në të gjithë bregdetin lindor të Adriatikut si dhe në lagunat e shumta, ku ka ndryshuar konfiguracioni i tyre.
“Janë fenomenet e ndryshimeve klimatike, të cilat kanë ndikimin e tyre jashtëzakonisht shumë të madh. Por, pa lanë këtu ndërhymjet pa kriter që ka bërë njëriu. Faktori njeri po bëhet ndër faktorët më dëmtues në natyrë, në territor, me ndërhyrjet e tij pa kriter që po bën, në dëmtimin e mjedisit, në dëmtimin e ekosistemeve në përgjithësi. Dhe, të gjitha këto fenomene së bashku janë dëmtuesit kryesor dhe një pasqyrë negative për ofertën e jashtëzakonshme natyrore, që ka i gjithë territori shqiptar”.
Shqipëria ka 427 kilometra bregdet, ku 253 kilometra përbëhen nga plazhe me rërë të sedentuar, të cilat kërcënohen nga erozioni. Sipas një raporti të Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, humbja e tokës për shkak të erozionit është 2-3 herë më e lartë në Shqipëri, sesa në vendet e tjera të Mesdheut.
Marrë nga VOA