Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, që synon të shkurtojë kohën për mjetet që përshkojnë këtë rrugë, ka nisur zyrtarisht këtë të diel.
Në një fjalim nga kantieri i ndërtimit, ministrja e Infrastrukurës, Belinda Balluku u shpreh se “falë këtij projekti të dëshiruar prej dekadash, do të dyfishohet volumi i mjeteve, nga 3 mijë në 6 mijë makina në ditë që përshkojnë Llogoranë”.
Kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh se ndërtimi i këtij tuneli, do të bëjë realitet një ëndërr që prej vitesh e kanë dashur banorë të zonës dhe qytetarët apo turistët që bëjnë këtë rrugë për të shkuar në jug të vendit.
“Është një ditë e shënuar në kapitullin e punëve të madhe publike. Po realizohet në terren një ëndërr që e ka shoqëruar këtë zonë përgjatë këtyre vite. Ka qenë një nga kryefjalët e premtimeve të të gjithë atyre që kanë kaluar nga këto anë. Siç ka ndodhur dhe me vepra të tjera të mëdha, zotimin ne po e bëjmë realitet.
Tuneli do të bëjë të mundur shkurtim të konsiderueshëm të kohës dhe rritje të sigurisë”.