Në orën 17:00 të pasdites së sotme, kreu i PD-së Lulzim Basha ka thirrur në takimin, kolegjin e kryetarëve, e thënë ndryshe kryetarët e degëve të kësaj force politike.
Kjo mbledhje e Bashës, vjen një ditë pas asaj me grupin parlamentar të PD-së, ku shumica e deputetëve kërkuan largimin e tij nga drejtimi i partisë.
Ka vazhduar deri pas mesnate mbledhja e djeshme e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku për herë të parë në shumicë dërrmuese, të zgjedhurit i kanë kërkuar dorëheqjen Lulzim Bashës.
Të parët që kërkuan që kreu i Partisë të mbante përgjegjësi për zgjedhjet e 6 Marsit ishin nënkryetarët Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma, madje e bënë këtë dhe publikisht jashtë dyerve të blinduara të Partisë Demokratike.
Kësaj thirrje nuk iu bashkuan dy nënkryetarët e tjerë, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku, të cilët në fakt kanë mbajtur një qëndrim ‘as mish, as peshk’. Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se Tabaku nuk ka qenë fare e pranishme në këtë mbledhje, ndërkohë që Alibeaj nuk ka mbajtur aq qëndrim pro Bashës dhe as kundër tij.
Një tjetër që nuk është shprehur është dhe krahu i djathtë i Bashës, Gazment Bardhi, i cili në një prononcim të shkurtër në hyrje të Kuvendit, tha se kjo do të duhet të ishte një kohë reflektimi për PD-në, dhe jo kohë për të bërë analiza.
Gjatë mbledhjes që vazhdoi për afro 4 orë, Basha sërish nuk ka marrë përgjegjësi për humbjen, duke i konsideruar zgjedhjet e 6 Marsit, si një kurth për partinë që drejton, mendim i cili iu mbështet dhe nga deputetët: Orjola Pampuri, Arbi Agalliu, Flamur Hoxha dhe Kreshnik Çollaku.