Një ditëlindje ndryshe ka qenë kjo e këtij viti për deputetin demokrat, Belind Këlliçi. Ndryshe nga vitet e tjera, ky 39-vjetor e gjeti demokratin nëpër Komisariatet e kryeqytetit dhe mes kolegëve dhe mbështetësve të tij.
Ka qenë vetë Këlliçi ai i cili pak pas mesnatës ka publikuar një foto nga ambientet jashtë selisë ku shihet krah “çunave” demokratë, ashtu si dhe ai thotë.
“Ditëlindja e 39 më gjeti në seli, bashkë me çunat”, shkruan Këlliçi, ndërkohë që të shumta kanë qenë komentet e ndjekësve të cilët e kanë uruar.
Kujtojmë se protesta e një dite më parë u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Pas përfundimit të fjalës së liderit të së djathtëve, një breshëri molotovësh u hodhën në drejtim të Kryeministrisë, ndërkohë që reagimi i forcave të Policisë të cilët ishin vendosur kordon në perimetrin e sigurisë, ishte i menjëhershëm.
Ata iu kundërpërgjigjën demokratëve me bote uji dhe gaz lotsjellës, duke mos kursyer kështu askënd, madje as gazetarët të cilët ishin në krye të detyrës.
Përpos efektivëve të lënduar dhe protestuesve, pati dhe disa të shoqëruar. Si rrjedhojë deputetët demokratë, përfshirë dhe Këlliçin, pas përfundimit të protestës iu drejtuan Komisariateve të Tiranës për të liruar demokratët e shoqëruar.





