TIRANA- Pjesë nga fjala e Berishës:
Miq, unë kam një falënderim të madh sot për gratë socialiste. Dje ato gra fisnike ia shndërruan në disfatë show-n njeriut më mizogjen në Europë, Edi Ramës.
Dhe u detyrua të thoshte se na ka parë syri i keq.
Po ti je e keqja vetë. Ku ka sy të keq që të sheh ty, ti je e keqja më e madhe.
A të keqe më të madhe se atë që i largon nënës, djalin dhe vajzën nga shtëpia për rrugët e botës?
Po a ka të keqe më të madhe për një zonjë, për një grua, për një motër, se t’u largosh burrin nga shtëpia për të siguruar kafshatën?
A ka të keqe më të madhe se ti që me bullizmin tënd ke nxitur dhunën kundër grave?
E ka me borxh të përrallisë për çdo gjë, po se flet një fjalë kurrë një grua dhunohet, se flet një fjalë kur një grua vritet barbarisht.
Kurrë ndonjëherë nuk keni për ta dëgjuar.
Po pse? Sepse në thellësinë e tij ai ka një arkaizëm, ai është një mizogjen i pakorrigjueshëm.
Dhe u garantoj se gratë dhe vajzat shqiptare do jenë ato të cilat me 11 maj do i presin biletën, do e nisin aty ku e meriton.
Miqtë e mi, programi ynë i Shqipërisë Madhështore, po të kishte një emër të dytë, do ishte programi i rinisë shqiptare.
Në 12 vite, 600 mijë të rinj kanë ikur nga Shqipëria.
Në 12 vite, Shqipëria po humbet ëndrrën e vet.
Vilson Blloshmi, një poet i pavdekshëm, Shqipërinë në diktaturë e krahason me Saharanë, dhe thotë Saharaja ëndrra nuk ka, Saharaja nuk ëndërron.
E vërteta është se në narkodiktaturë, ëndrra po i ikën Shqipërisë. Ëndrrat po i ikin çdo ditë.
Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka që të rinjtë shqiptarë të qëndrojnë në Shqipëri.
Do bëjmë gjithçka për shkollimin e tyre, për punësimin e tyre, çatinë e tyre, për biznesin e tyre.
Do bëjmë gjithçka që jo vetëm këta që janë këtu, por dhe ata që kanë ikur, të rikthehen në dheun e tyre dhe të ndërtojnë ëndrrën në Shqipëri. Të kthehen dhe t’i japin Shqipërisë të ardhmen që meriton.
Ndaj dhe programi ynë ka në themel mbështetjen e fuqishme për rininë shqiptare.