Njëmbëdhjetë të arrestuar në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë/ Dyshohet se ndihmuan shoferë të rinj të merrnin patentën në këmbim të përfitimeve

0

KOSOVË- Policia e Kosovës njoftoi se njëmbëdhjetë persona janë arrestuar nën dyshim se kishin ndihmuar kandidatë të pajiseshin me patentë shoferë, në këmbim të përfitimeve materiale.

Policia tha se ka kontrolluar dhjetë lokacione në rajonin e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjakovës për këtë rast përfshirë shtëpi private, zyra rajonale të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe biznese me veprimtari të auto-shkollës, më 29 maj.

Sipas Policisë, rasti është hetuar për disa muaj dhe janë siguruar prova se të arrestuarit kanë kryer veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, pranim të ryshfetit në sektorin privat, ushtrim ndikimi dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Autoritetet njoftuan se gjatë kontrollit janë sekuestruar prova, përfshirë një pushkë AK47, dy revole, fishekë të kalibrave të ndryshme, para të gatshme (16.145 euro dhe 6660 franga zvicerane), telefona mobilë, kompjuterë, USB dhe dokumente të tjera të rëndësishme për rastin.

Në njoftim tha se të dyshuarit janë dërguar për intervistim dhe me vendim të prokurorit të rastit dhjetë prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa një nga të arrestuarit është liruar në procedurë të rregullt.

Edhe në të kaluar, autoritetet kishin arrestuar zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës për pajisjen e kandidatëve me patentë shoferë në këmbim të përfitimeve materiale./ REL