Njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë protestuar këtë të shtunë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë.
Kjo është protesta e dytë brenda një muaji, duke bërë thirrje për përmirësim të përgjithshëm të kushteve të punës dhe duke shpalosur një varg kërkesash.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, tha se kërkesat e policisë janë përmirësimi i kushteve të punës së përgjithshme, si veshmbathja, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore, duke shtuar se “disa objekte policore dhe automjete si dhe pajisje të tjera për kryerjen e detyrave nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë”.
Protesta e tyre vjen rreth tri javë pasi Qeveria e Kosovës miratoi pako të re shtesash për këto njësi speciale dhe të gjitha njësitë e tjera policore.