I zhgënjyer dhe i zemëruar me qëndrimin e qeverisë shqiptare u shpreh nga Brukseli kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis për çështjen e Fredi Belerit të lënë në burg nga drejtësia shqiptare, të cilit së fundi edhe iu refuzua kërkesa për t`u betuar si kryebashkiak i Himarës.
Konferencën për shtyp të dhënë në mbylljen e samitit të krerëve të BE-së, shefi i ekzekutivit grek e shfrytëzoi për t`i përcjellë një mesazh të prerë Tiranës zyrtare.
“Pata rastin t`i informoj homologët e mi për atë që po ndodh në Shqipëri me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës dhe të shprehja zhgënjimin dhe indinjatën time për faktin se një kryetar i votuar nga populli arrestohet dy ditë pas zgjedhjes së tij dhe ndodhet në burg, për mendimin tonë, mbi bazën e disa procedurave të dyshimta.“-tha Mitsotakis.
Mitsotakis, e cilësoi çështjen Beleri “një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe përpjekjeve të Shqipërisë për të respektuar acquis europiane- apo tërësinë e të drejtave dhe detyrimeve të bllokut, dhe shprehur dëshirën për të një zgjidhje të shpejtë të situatës, në të kundërt siç tha ai, ky “do të jetë një element për vlerësimin që Greqia do t`i bëjë kursit europian të vendit.
“Pres që kjo çështje të zgjidhet shpejt. Është shumë e rëndësishme për ne zgjidhja e saj dhe e theksoj, do të të përbëjë një element vlerësimit nga ana e Athinës për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, e cila fillon tani dhe është shumë e gjatë. Respektimi i rregullave bazë të shtetit ligjor është kusht i panegociueshëm për çdo vend që kërkon të bëhet anëtar i familjes europiane. Dua të besoj se ky mesazh është kuptuar plotësisht edhe në Shqipëri.”
Mitsotakis shtoi se e respekton plotësisht ndarjen e pushteteve në vendin tonë, por la të kuptohej qartë se nuk do të lejojë që kjo çështje të kalojë lehtë.