“Nuk do të kthehem më në shtëpi”/ Zhduket prej 4 ditësh 16-vjeçarja shqiptare në Greqi, nëna e shqetësuar: Telefoni i saj është i fikur! Dikush fshihet pas atij mesazhi

0

GREQI- Një 16-vjeçare shqiptare prej katër ditësh është zhdukur pa lënë gjurmë në Greqi. Adoleshentja është identifikuar si Emilia Veliu. Ajo është zhdukur pas një shëtitjeje më shoqen e saj më datë 16 qershor.

Sipas nënës së vajzës, e cila foli për protothema.gr, e mitura doli për një shëtitje me shoqet e saj dhe nuk u kthye më në shtëpi. Frika dhe ankthi i prindërve të 16-vjeçares Emilia se fëmija i tyre është në rrezik po rritet dita-ditës, pasi 16-vjeçarja nuk ka komunikuar me familjen e saj deri më sot.

Nëna më tej bëri me dije se nga telefoni i saj ka ardhur në mesazh ku shkruhet se vajza nuk do të kthehet më në shtëpi. Ajo shtoi se ka frikë se pas mesazhit fshihet ndonjë person tjetër që do të dëmtojë të miturën.

“Nuk kam dëgjuar më nga vajza ime që nga nata e së hënës kur ajo u zhduk. Më tha se do të dilte me shoqet e saj për një shëtitje dhe që atëherë nuk është kthyer në shtëpi. Kur pashë se po vonohej të kthehej nga shëtitja, u shqetësova dhe komunikimet tona të fundit ishin nëpërmjet mesazheve në celularin e saj.

Mesazhi i fundit ishte se “Nuk do të kthehem më në shtëpi”. Jam shumë e shqetësuar për fatin e fëmijës tim për momentin, telefoni i saj celular është i çaktivizuar, kam frikë se duhet të jetë përfshirë me shoqe të këqija, sepse nuk ka dalë kurrë me shoqet dhe shoqet e saj, siç më kishte thënë. Dhe mesazhi që dërgoi se “Nuk do të kthehem më në shtëpi”, besoj se fshihet një person tjetër që dëshiron ta dëmtojë. Dua të zbuloj informacione për vajzën time, po e kërkoj kudo dhe dua që ajo të kthehet përsëri në shtëpinë tonë.” tha nëna e vajzës.

Autoritete greke u bëjnë thirrje qytetarëve të telefonojnë në numrin 116000 si dhe në të gjitha drejtoritë e policisë në vend, nëse kanë informacion për vendndodhjen e Emilias. Të afërmit e adoleshentes kanë publikuar gjithashtu njoftimin e zhdukjes së 16-vjeçares në rrjetet e tyre sociale Facebook dhe Instagram. Halla e adoleshentes shkruan se policia greke e ka shpallur të rrëmbyer Emilian.

Emilia ka flokë të kuq, sy kafe, është 1.70 e gjatë dhe peshon 65 kilogramë. Ditën që u zhduk, ajo mbante veshur xhinse të zeza, një bluzë të zezë pa mëngë, syze dhe mbante në dorë një çantë ngjyrë vishnje.