Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me banorë të Lazaratit. Berisha ndër të tjera iu drejtuar me “një mesazh të koduar” kryeministrit Edi Rama duke i thënë se Lazaratin nuk mund ta shpërbëjë askush.
“Ndjehem krenarë me mbështetjen e secilit prej jush. Po vij këtu nga Libohova dhe një mik i imi atje më tha se “Edi Rama i paska thënë një socialisti të thekur se Libohovën duhet ta vënë në heshtje dhe Lazaratin ta shpërbëj fare”. I them Ramës se Lazarati është këtu dhe s’ka të fortë në këtë botë që mund ta shpërbëjë. U përpoq diktatura mizore e etërve të tu, por ata përfunduan në kosh, ndërsa Lazarati mbeti, ndaj ideja e vazhdimit të tij mizor të persekutimit të Lazaratit do marrë përgjigjen e merituar në zgjedhjet e ardhshme”, th Berisha.
Ai theksoi se ndodhej në Lazarat për të dëgjuar sugjerimet e banorëve dhe se do t’i përfshinte ato në programet e PD-së.
“Kam ardhur për t’u zotuar para jush se me deputetin tuaj, se do bëjmë çdo gjë për ju, për kapacitetin, femrat, që të kenë prosperitetin që meritojnë. Por kam ardhur këtu të dëgjoj zërin tuaj, sugjerimet tuaja, që do jenë pjesë e rëndësishme e programit të PD”, tha Berisha.
Banorët e Lazaratit u shprehen se nuk e harrojnë terrorin që pësuan nga Partia Socialiste, gjatë aksioneve që ndërmori kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
“Nuk harrojmë terrorin e viteve më parë. Vitet e fundit ikën nga Lazarati 1/3 e banorëve”, thanë banorët.