Nuk i kam vrarë unë nënë e bir… Historia e të dënuarit përjetë që po kërkon lirinë

0

 

24 vite nga vrasja e Drita dhe Ermal Rrapollarit gjatë një grabitjeje me armë nga 4 persona, Eduard Banaj i arrestuar si njëri nga 4 autorët kërkon lirinë.

Eduard Banaj u arrestua në vitin 2012, plot 15 vite pas ngjarjes, dhe kjo ndodhi pas vetëdorëzimit të njërit prej autorëve të krimit, Arben Çelës i cili tregoi edhe emrat e personave të tjerë të përfshirë në grabitje. Kushulla Banaj pretendon se djali i saj ndodhej në spital në Greqi kur ka ndodhur ngjarja, dhe akuzon 2 punonjës policie me të cilët Eduardi ka pasur një sherr.

“Djali im erdhi nga Greqia dhe nisi të ndërtonte shtëpinë, djali im ka pasur konflikt fizik me disa oficerë policie dhe na vete mendja që mund ta kenë organizuar këtë të gjithë, është Artan Naipi dhe një tjetër, pruri një makinë nga Greqia, dhe u zu me ta, jo ti po unë. U konfliktuan fizikisht me njëri tjetrin, në prokurori u pajtuan të dyja palët, këtë mendojmë ne se pse ia kanë hedhur fajin djalit tim.

Djali është dënuar me burgim të përjetshëm, Gjykata nuk ka i pranoi provat, dhe e mbyllën çështjen me urgjencë. Djali im nuk i njeh fare ata që janë vrarë, njëri nga pjesëmarrësit thotë policia gjyqësore se ka qenë i përfshirë dhe djali im. I pandehuri që është në brug Altin Hoxha, thotë se pjesë e grabitjes ka qenë Eduard Binxho.

Se qysh është bërë kjo punë nuk e di, është bërë manipulim i madh. Djali im ka bërë punë të ndryshme, në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka qenë në Greqi, kemi dëshmitë e pronarit grek që ka qenë atje kur ka ndodhur vrasja. Prokuroria nuk na i ka pranuar provat që ne kemi dërguar.

Se pranuan fare si dëshmitar as pronarin grek, dhe as dy shoktë e djalit në Greqi, ka punuar punë të ndryshme djali, u kthye në Shqipëri. Mbaroi djali shkollën dhe i mbeti Universiteti në mes, kemi diploma që ka qenë duke vazhduar shkollën. Shikonte punën e tij dhe vazhdonte dhe shkollën”, tregon e ëma e të burgosurit.

Ndërkohë që avokati i të dënuarit, Zeçe Islami tha se njëri nga të dënuarit për ngjarjen, Altin Hoxha ka dëshmuar se në krim ka marrë pjesë Eduard Binxho dhe jo Eduard Banaj. Edhe avokati akuzon 2 punonjësit e policisë me të cilët Banaj ka pasur një sherr se e kanë përfshirë emrin e këtij të fundit për hakmarrje.

Islami thotë se i penduari Arben Çela është dënuar në vitin 1998 me 22 vite heqje lirie, dhe nuk i është dhënë informacion pse ndodhej i lirë në vitin 1997. Ai thotë se është më shumë se i sigurt për pafajësinë e klientit të tij dhe e quan të papranueshme faktin se pse nuk janë marrë parasysh nga gjykata dëshmitë e shtetasve grekë.

“Unë e kam marrë këtë çështje pasi jam 1 mijë % i sigurt që Eduardi është i pafajshëm, unë nuk merrja përsipër në të kundërt që të mbroja një person që ka vrarë nënën dhe djalin e saj. Në momentin kur unë shkova në Greqi për të marrë dëshminë zyrtare të pronarit të tij, ai bënte be për Eduardin, për cilësitë e tij.

Eduarti ka sjellë një makinë luksoze për kohën, Lincoln, polici ia mori për të bërë xhiro, dhe më pas nuk donte që tia kthente. Për mendimin tim nuk mund të dënohet një njeri, se një kriminel ka përmendur emrin e tij”, u shpreh Islami.

Tashmë çështja e Eduard Banaj është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë, pas refuzimit që ka bërë Gjykata Kushtetuese për trajtimin e dosjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu