“Nuk ia fal vrasjen e tim eti”/ Zbardhet dëshmia e djalit që qëlloi me thikë nënën e tij

0

“E plagosa, se nuk ia fal dot vrasjen e babait. E kam tentuar edhe njëherë tjetër, po nuk ia arrita dot”!

Kjo është dëshmia që ka dhënë Ajet Lleshi, 28- vjeçari nga Klosi momentin kur u vu në pranga nga Policia e Burrelit pasditen e djeshme, pasi kishte plagosur me thikë nënën e tij.

Ngjarja që tronditi Tiranën ndodhi orëve të paradites, ndërsa një grua u gjet në rrugë me plagë thike në shpinë. Kalimtarët janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë, ndërkohë që më pas është dërguar në Spitalin e Traumës, ku mjekët kanë treguar se është në parametra jetësore.

Ajo i ka thënë Policisë se është sulmuar nga i biri i saj i vetëm, teksa po shkonte te shtëpia e mamasë së saj në Tiranë. Policia e Tiranës është vënë në kërkim të tij dhe më pas është lajmëruar Policia e Burrelit për të nisur kërkimet.

Pas disa orësh, është bërë e mundur të vihet në pranga pasi ishte i fshehur në zonën e Klos Katund. Djali nuk ka bërë rezistencë dhe iu ka treguar edhe shkakun që ka ndërmarrë aktin e rëndë të plagosjes së nënës së tij.

Mbrëmë, orëve të vona, ai është sjellë në Tiranë ku edhe do të vihet përballë grupit hetimor që tashmë ka dokumentuar dëshminë e Safije Sinës dhe pret të dokumentojë edhe rrëfimin e të birit agresor. Ai pritet që ditën e nesërme të dalë para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë për plagosje me dashje.

NGJARJA

Policia e Tiranës njoftoi se paraditen e djeshme kishte ndodhur një ngjarje e rëndë. një grua ishte plagosur me thikë dhe më pas ishte dërguar në spital. Nga dëshmitë e mbledhura në vendin e ngjarjes dhe nga rrëfimi i gruas është mësuar se personi që e ka qëlluar ishte djali i saj, por që ajo nuk jetonte me të. Policia saktësoi se është shpallur në kërkim Ajet Lleshi, nga Klosi dhe me banim në Klos.

Po ashtu, u bë me dije se gruaja është në parametra jetësore. Policia në një njoftim zyrtar tregon se “shtetasi Ajet Lleshi, ka plagosur me thikë në pjesën e shpinës dhe të barkut nënën e tij, Safije Sina, 56 vjeçe”. Nga informacionet e para u tha se Safije Sina (Leshi) është e divorcuar dhe është martuar për herë të dytë dhe jeton në Kavajë. Ajo është martuar pasi ka vuajtur një dënim prej disa vitesh për shkak se dyshohet se ka vrarë bashkëshortin e saj, të atin e djalit që e sulmoi ditën e djeshme.

Policia nuk e ka të qartë se kur ka ndodhur krimi i rëndë, ndërkohë që sipas të dhënave gruaja është vënë nën akuzë rreth 10 vite më parë. Pas daljes nga burgu, ku ka vuajtur dënimin diku me afër 5 vite burg, ajo nuk është kthyer më në familjen e saj, ku sipas të dhënave është nënë e tre fëmijëve, dy vajzave dhe e një djali, Ajetit, që dje desh i mori jetën. Safija ka udhëtuar ditën e djeshme nga Kavaja, ku jeton me bashkëshortin e ri në drejtim të Tiranës.

Në rrugën “Jusuf Gervalla” ajo është përballur me të birin, i cili nuk dihet se çfarë bisede ka kryer me nënë e tij, por ai e ka goditur me pas me thikë. Gruaja i ka thënë Policisë se në atë rrugë, në zonën e Institutit banonte nëna e saj dhe ndaj ka qenë duke shkuar për te shtëpia e saj për ta parë dhe duke ikur për te shtëpia e saj në Institut, djali e ka goditur me thikë në shpinë dhe është larguar menjëherë.

LARGIMI NGA VENDI I KRIMIT

Pas ngjarjes së rëndë, 28- vjeçari mësohet se është nisur në drejtim të Klosit. Policia ka nxjerrë postblloqe, por pa mundur ta kapin në zonën e Tiranës, siç ndodh rëndom viteve të fundit që autorët arrijnë të largohen lehtësisht nga vendet e ngjarjes.

Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka kryer kontroll banese, ka marrë të dhëna për lëvizjen e tij dhe më pas e ka rrethuar të fshehur në zonën e Klos Katundit. Ajeti është dorëzuar pa bërë rezistencë, duke treguar se kishte tentuar edhe herë tjetër ta vriste nënën e tij, por nuk ia kishte arritur.

Ai është shprehur se nuk ia fal kurrë atë që i ka bërë babait të tij, një ngjarje që në fakt mbetet mister, por që do të hidhet dritë në ditët në vijim pas dëshmisë së tyre në lidhje me gjithçka ka shkatërruar familjen Lleshi. Policia e Shtetit tha se dyshohet që Safija Lleshi i ka marrë jetën Hysni Lleshit, të atit të tre fëmijëve të saj./ Marre nga Panorama


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu