Deputeti Edi Paloka zbuloi arsyen se përse nuk ishte i pranishëm sot në Kuvendin e Shqipërisë. Për “Syri.TV”, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike tha se nuk mund të shkonte sot në parlament pasi organi legjislativ i Shqipërisë po trajtohet si vasal i presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan.
Ai shtoi se Erdogan ka të drejtë të trajtojë si vasal kryeministrin e vendit tonë Edi Rama, pasi e ka sponsorizuar qëndrimin e tij në pushtet, por një gjë të tillë nuk mund ta bëjë dot me Parlamentin e Shqipërisë.
“Nuk mund të isha i pranishëm në sallën e një parlamenti që pranon të trajtohet si vasal. Erdogan ka gjithë të drejtën të trajtoj si vasal dhe më keq Edvin Ramën , se ka sponsorizuar qëndrimin e tij në pushtet, por kurrsesi Parlamentin e Shqipërisë. Miqësia e ‘vëllazëria’ nuk kanë lidhje me vasalitetin”, tha Paloka për “Syri.tv”.
Sot në Kuvendin e Shqipërisë mungoi dhe ish-kryeministri Sali Berisha. “Syri.tv” raporton se ish-kryetari i PD nuk shkoi sot në parlament për shkak se Erdogan ka mbështetur Ramën në zgjedhjet e 25 prillit 2021.