“Nuk jam pjesë dhe as nuk e di se çfarë është.” Kjo ishte përgjigja e deputetit socialist Erion Braçe kur u pyet në “Intervistë” me Merita Haklajn rreth aplikacionit “Aktiv1st” për të cilin ka pasur reagime të ashpra së fundmi.
Ndërsa theksoi se për të promovuar punën e tij ka rrjetet e tij sociale, Braçe theksoi se kur diçka është e vërtetë dhe e mirë mund ta pëlqejë dhe ta shpërndajë vetë, pa lindur nevoja që t’ia kërkojë dikush.
“Nuk kam nevojë as t’i bëj like Edi Ramës, as të më bëjë ai mua. Nuk dua like me zor. Nuk bëjnë punë. Nuk kam nevojë të më thotë dikush, nëse diçka është e mirë. E bëj vetë. Nuk është e nevojshme të bëhet propagandë. Njerëzit e kuptojnë vetë.”
Kurse, duke u ndalur tek patronazhimi, deputeti tha se kjo gjë në PS bëhet që prej vitit 1996, por jo në mënyrat në të cilat po interpretohet së fundmi.
Erion Braçe theksoi sistemi i patronazhimit funksionon kështu: “Ndërtohet një punë. Në x qendër votimi sa familje të mëdha kemi? 20. Kush është njohja jonë në këtë familje? Erioni. Erioni merr përsipër të flasë më këtë familje. Thelbi i asaj bisede me familjen hidhet në letër.”
Çdo interpretim tjetër, sipas tij, nuk ka të bëjë me patronazhimin që bën PS për zgjedhjet.