Nuk ka përfunduar as pas 5 vitesh, Bashkia e këtij qyteti ‘derdh’ të tjera para për Velierën e famshme

0

Rikthehet edhe një herë në vëmendje të opinionit publik “Veliera” e shumëpërfolur e Durrësit.

I trumbetuar fort nga qeveria Rama dhe i mbrojtur nga arkitektët italianë, investimi prej afro 6 milionë dollarësh nisi në vitin 2017, por kur po i drejtohemi fundit të vitit 2021, është ende larg përfundimit.

Mirëpo fatura e këtij projekti rëndohet edhe më shumë, pasi ditën e djeshme, bashkia e Durrësit ka hapur procedurat e tenderit me vlerë rreth 2.5 miliardë lekë të vjetër, për fazën e katërt të sheshit publik para hyrjes së Portit Durrës (VELIERA), që pritet të zgjasë plot një vit.

Ndërsa qëndron si një përbindësh metali mbi zonën A arkeologjike të qytetit të Durrësit, “Veliera” jo vetëm që është larg të përfunduarit, por edhe kostot e saj kanë ardhur duke u shtuar nga viti në vit.

Në fillim, projekti është financuar një pjesë nga qeveria Rama dhe një pjesë nga bashkia Durrës, ndërkohë që në dy ndërhyrjet e fundit, fondet janë siguruar vetëm nga bashkia.

Rreth një vit më parë, në maj 2020, “Veliera” rrëmbeu 850 milionë lekë, me qytetin bregdetar që sapo kishte dalë nga lëkundja sizmike dhe qytetarët që përjetonin ende makth nga tërmetet që nuk kishin të ndalur. Megjithatë, fatura e këtij viti është mjaft e kripur.

‘FaxNews’ ka siguruar dokumentin zyrtar, ku bashkia Durrës specifikon se shuma në fjalë do të përdoret për mbulesën përfundimtare të tendës, pra për realizimin e veshjes së sipërme të kësaj strukture metalike.

Vlen të theksohet se këto para po jepen në një kohë që ende qindra familje kanë mbetur pa shtëpi nga tërmeti, në një kohë kur nga pallatet e shembura po ndërtohen vetëm 3 dhe kur me dhjetëra pallate të tjera me dëme DS1-DS2-DS3 kanë mbetur pa u rikonstruktuar.

Mesa duket, më i rëndësishëm është një projekt luksi që vetëm “vjel” para, sesa strehimi i qytetarëve të Durrësit, të mbetur pa shtëpi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu