Nuk kanë një dhomë të tyren, një arsye për emigrimin e të rinjve

0

Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të mbipopullimit të banesave tek të rinjtë, duke reflektuar një sfidë serioze sociale dhe ekonomike ndërsa po kthehet në një faktor nxitës për emigracionin.Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, 70.3% e të rinjve shqiptarë jetojnë në kushte mbipopullimi, që nënkupton se një familje nuk ka mjaftueshëm dhoma në raport me numrin e anëtarëve.Ky tregues e rendit Shqipërinë në vendin e dytë në Europë, pas Malit të Zi (72.5% në 2022). Në Serbi kjo shifër është 60.8%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut (2022) 43.4%. Për Kosovën nuk ka të dhëna të raportuara.Në kontrast të fortë, mesatarja e Bashkimit Europian është vetëm 26.5%, ndërsa në zonën euro zbret në 22.7%, sipas të dhënave që janë përditësuar për vitin 2024.
Krahasimi i këtyre shifrave tregon hendekun e madh mes vendeve të Ballkanit dhe atyre të BE-së, ku standardet e strehimit për të rinjtë janë dukshëm më të larta.
Një faktor që ushqen emigracionin
Mbipopullimi i banesave tek të rinjtë në Shqipëri lidhet ngushtë me dy faktorë: të ardhurat e ulëta dhe çmimet e larta të apartamenteve.
Të dhëna të publikuara më herët nga Monitor bazuar në Numbeo tregojnë se Shqipëria ka çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në Europë në raport me fuqinë blerëse.
Kjo e bën pothuajse të pamundur për shumë të rinj të blejnë një banesë, duke i detyruar të vazhdojnë të jetojnë në kushte të mbingarkuara me familjen.

Infoweb Media